Ramsfeld viziton Gjirin Persik

Ka njoftime se Z. Ramsfeld do të vizitojë dhe Irakun

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld ka mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga aleatët më të rëndësishëm të Amerikës në luftën kundër Irakut.

Vizita e z. Ramsfeld në Abu Dabi shënon ndalesën e parë në një turne të tij në vendet e Gjirit Persik.

Ai pritet që të diskutojë praninë ushtarake amerikane në rajon pas rënies së Sadam Huseinit.

Para se të nisej drejt Gjirit, z. Ramsfeld tha se qëllimi i udhëtimit të tij ishte që të theksonte angazhimin e Amerikës për të ndihmuar Irakun dhe Afganistanin në tranzicionin e tyre drejt një sistemi qeverisjeje më demokratik.

Një zyrtar amerikan tha se z. Ramsfeld do të vizitojë Afganistanin javën e ardhshme.

Gjithashtu ka njoftime se në ndalesat e z. Ramsfeld, pritet që të jetë dhe Iraku.